6 vjet, 0 ndeshje… Wellington Silva ikën nga Arsenal!!!

271

Wellington Silva është larguar nga Arsenal për t’i bashkuar Flumineneses, skuadra që e rriti si futbollist me të cilën nënshkroi një kontratë katër vjeçare, pasi eksperienca e tij në Londër mund të konsiderohet plotësisht e dështuar. Wellington u ble nga Arsenal për 5 milionë euro, në vitin 2010, kur ishte 16-vjeç, por në gjashtë vitet e tij nën urdhërat e Arsene Wenger nuk luajti asnjëherë dhe u huazua në gjashtë ekipe të ndryshime si Levante, Alcoyano, Ponferradina, Murcia, Almeria dhe Bolton.

“Jam i lumtur dhe falënderoj Fluminensen për këtë mundësi. Sapo e mora vesh që do të rikthehesha në Brazil, fluturova nga gëzimi,” – tha futbollisti që kohë më parë kërkohej edhe nga Manchester e Real Madrid dhe ishte pjesë e rregullt e kombëtares së moshave të Brazilit. Vetëm në vitin 2014, Silva mori leje pune dhe leje aktivizimi për të luajtur në Angli, por Wenger pavarësisht nga konsiderata që kishte nuk i dha asnjë shans në “Emirates Stadium” dhe e huazoi te Bolton.

Ish-trajneri i Bolton, Neil Lennon, deklaroi: “Verën e kaluar, Wenger më telefoni dhe më garantoi se bëhej fjalë për një talent, shumë i bukur për t’u parë, por shumë i vogël për Arsenalin. Por ai nuk luajti mirë, nuk e meritonte as vendin në formacion. Paraqitjet e tij ishin shumë larg edhe nivelit mesatar. Në fushën tonë, sporadikisht nxirrte ndonjë ndeshje të mirë, por në transfertë zhdukej. Të tilla pesha të lehta nuk mund të luajnë në Championship.”