Heroi i Kosovës në Bullgari pret festë të ngjashme edhe me Çekinë

Ethet e futbolldashësve të Përfaqësueses së Kosovës tashmë kanë nisur. Edhe pse ka edhe një muaj deri të zhvillimi i ndeshjes me Çekinë, ballafaqim ky që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, më 7 shtator, tashmë në rrugët e Kosovës e veçanërisht në ambientet sportive kjo përballje ka nisur të diskutohet shumë.

Njohësit e futbollit po vlerësojnë se ballafaqimi me skuadrën çeke është i veçantë dhe vendimtar, madje shumëkush mendon se nëse fitohet ai takim, atëherë Kosova do të jetë pjesë e kampionatin “Evropian 2020”.

Pa dyshim është fitorja e fundit e Kosovës ajo e shënuar në Bullgari që ka rritur kaq shumë entuziazmin në kampin e Kosovës.

Image result for elbasan rashani kosovo

Heroi i asaj ndeshjeje Elbasan Rashani, goli i të cilit i shënuar në minutën e 92-të dha emocione që nuk do të harrohen kurrë, në një intervistë të gjatë për gazetën “Zëri” ka rrëfyer për emocionet e asaj ndeshjeje, për performancën në skuadrën norvegjeze Odd dhe gjasat që sivjet ta fitojë titullin e kampionit, për pritshmëritë që ka me Kosovën dhe gjasat e saj të kualifikohen në Evropian, për dy ndeshjet e radhës me Çekinë dhe me Anglinë, si dhe për mundësinë e ndërrimit të skuadrës, ashtu siç bënë sivjet Amir Rrahmani e Vedat Muriqit që sivjet u janë bashkuar skuadrave të mëdha si Verona në Seria A, përkatësisht Fenerbahçe në Turqi.

I gatshëm gjithmonë për Kosovën

Kosova e trajnerit Bernard Challandes tashmë është shndërruar në një skuadër të pakompromis dhe të frikshme për çdo kundërshtarë. Kosova në 14 ndeshjet e fundit nuk di për humbje, derisa në muajin shtator saktësisht më 7 e 10 shtator do t’i ketë dy sfida tejet të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për kampionatin “Evropian 2020”.

Sulmuesi 26-vjeçar Elbasan Rashani mezi po e pret grumbullimin te Kosova, me shpresë se do të vazhdojnë me këto performanca dhe ta bëjnë krenarë gjithë popullin e Kosovës.

Image result for elbasan rashani kosovo

“Jam shumë i gatshëm për të marrë pjesë në grumbullimin e ardhshëm të Kosovës. Ende i kujtojmë emocionet e fundit që na i ka dhënë ndeshja me Bullgarinë dhe po shpresoj që së bashku prapë të krijojmë emocione të tilla dhe ta bëjmë krenarë popullin tonë”, ka thënë Rashani, sipas të cilit dy ndeshjet me Çekinë edhe do të jenë vendimtare sa i përket kualifikimit të Kosovës në Evropian.

“Jo vetëm takimi në Prishtinë me Çekinë, por mendoj se dy ndeshjet që i kemi me këtë kombëtare janë vendimtare sa i përket kualifikimit. Ne do të luftojmë për këtë gjë deri në fund”, ka thënë Rashani, derisa ka një mesazh edhe për tifozët “Dardanët”.

“Të luash para tifozëve tanë është ndjenja më e mirë që mund ta përjetosh ndonjëherë. Kjo nuk krahasohet me asgjë. Unë u bëj thirrje tifozëve që ta mbushim stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe bashkërisht të fitojmë pikë të reja për Kosovën tonë”, ka vlerësuar Elbasan Rashani, i cili me fanellën e Kosovës ka tre gola të shënuara. Kosova aktualisht është e treta në Grupin A, aty ku janë edhe Anglia, Çekia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Në tri ndeshje Kosova ka 5 pikë, një më pak se Anglia dhe Çekia që janë në vendin e dytë me 6 pikë.

Titulli i kampionit në Norvegji dhe afati kalimtar

Rashani këtë edicion është duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë te skuadra e Oddit në kampionatin norvegjez. Në 17 ndeshje të zhvilluara Oddi është në pozitën e tretë në tabelë me pesë pikë larg vendit të parë dhe gjasat janë reale ta fitojë kampionatin.

Ky edhe është synimi i Rashanit para se ai të mendojë për ndonjë kalim në ndonjë kampionat tjetër. “Jam shumë i kënaqur me performancën time, por edhe të ekipit. E kemi pasur një fillim të sezonit shumë të mirë dhe besojmë të vazhdojmë kështu”, ka thënë sulmuesi 26-vjeçar vushtrrias, i cili para se të vendosë të luajë për Kosovën ishte pjesë e Norvegjisë U21.

“Kemi gjasa reale për titull të kampionit dhe po luftojmë për këtë deri në fund. Jemi edhe në çerekfinalen e Kupës, kështu që gjasat të fitojmë ndonjë trofe këtë edicion janë shumë të mira”, theksoi Rashani, emri i të cilit kohëve ët fundit është folur për mundësi ndërrimi të skuadrës, por ai tash është i përqendruar vetëm të skuadra e tij, derisa për të ardhmen ende nuk ka vendosur edhe pse tashmë interesimi për të ka nisur të rritet shumë. “Tash për tash jam i fokusuar vetëm te skuadra ime. Gjithsesi, ndonjë ndërrim te ndonjë skuadër tjetër gjithmonë mund të ndodhë, por momentalisht po mendoj të ftojë trofe me skuadrën time aktuale”, ka përfunduar Elbasan Rashani.