12 pikat e errëta të marrëveshjes për shitjen e Milanit te kinezët

“Business Insider” portali ekonomik (operon në vendet më të zhvilluara të globit), i ka kushtuar vëmendje asaj që do të ndodhë më 3 mars. Portali, i cili operon në Itali si degë e “La Repubblica”-s, u jep përgjigje disa pyetjeve që kanë lidhje me kalimin e stafetës nga familja Berluskoni te “Sino Europe Sports” (fondi kinez).

Portali shpjegon se, sapo “SES” të gjejë 320 milionët e mbetur nga shuma që duhet t’i kalojnë “Fininvest”-it, atëherë Milani do të mbledhë aksionarët për të ratifikuar gjithçka. Më pas, të gjithë administratorët e klubit do të japin dorëheqjen për t’u lënë vendin pasardhësve. Pjesa e fundit është më e thjeshta e një kalimi “stafete” që pritet të mos jetë kaq i lehtë. Më poshtë “Business Insider” u jep përgjigje 12 pyetjeve, të cilat fshehin të vërteta të dhimbshme.

Berluskoni me kinezet

1 Përse kinezët po blejnë Milanin me këste? Më shumë se i rrallë, mund të themi se ky rast është unik. “Fininvest” dhe “Sino Europe” (e drejtuar nga Jonghong Li) kanë vlerësuar Milanin rreth 740 milionë euro (520 milionë do t’i shkojnë kompanisë që kontrollon të gjithë bizneset e familjes Berluskoni, ndërsa 220 milionë eurot e mbetura janë borxhet e grumbulluara nga klubi). Zakonisht të tilla operacione mbyllen me një hap të vetëm. Hidhen firmat dhe paratë mund të kalojnë me këste (për blerësit ka rëndësi që të marrin menjëherë kontrollin e shoqërisë dhe pagesa me këste garantohen nga bankat ose nga individë me pasuri të mëdha). Kështu ndodhi edhe tek Interi, kur Masimo Morati i shiti shumicën e aksioneve Tohirit dhe kur ky i fundit i kaloi “stafetën” “Suning Group”-it.

2. Përse kinezët nuk ua besojnë tratativën këshilltarëve financiarë? Shpesh operacione të këtij lloji financohen prej disa bankash të ndryshme, pasi për çdo kompani ose konsorcium është e vështirë që të grumbullojë aq shumë para në aq pak kohë. Por, në rastin e Milanit, kjo nuk ka ndodhur, pasi “SES” ka thënë se disponon vetë të gjithë shumën e premtuar, edhe pse në realitet po e shlyejnë me këste. Duke evituar ndihmën e bankave ata kanë evituar kontrollin e imtësishëm të llogarisë që kanë në dispozicion (kjo vlen sa herë që në një tratativë përfshihen personal të ekspozuar politikisht siç është Silvio Berluskoni). Kur bankat nuk janë në lojë, atëherë s’ka as kontrolle.

3. Kush është Jonghong Li? Askush nuk e di. Përpara se t’i përmendej emri për blerjen e Milanit, askush nuk e njihte. Nuk është pjesë e asnjë biznesi të madh, dhome tregtie apo ambasade. Edhe për ata që janë pjesë e botës së futbollit në orientin e largët ky person është një i panjohur. Lipi dhe Kanavaro nuk e njohin. Alberto Forçeli, partner i “Mandarin Capital”, më shumë se një herë ka thënë se “SES” nuk ekziston. “Il Sole 24 Ore” ka mundur që të zbulojë se ky person është gjobitur nga Bursa e Shangait për aktivitete të jashtëligjshme. Por emri Jonghong Li figuron në fashikujt e “Panama Papers”. Këto të fundit mund t’i referohen një personi tjetër, por kreu i “SES” kurrë nuk ka përgënjeshtruar lajmin. Shoqëria e tij, “Alkimiaconst Sa”, është hapur nga Mosak Fonseka (studio ligjore nga Uruguai), i cili ka ndihmuar dhe Silvio Berluskonin dhe Flavio Briatoren për të ndërtuar “Struie” (“kasaforta” e dy italianëve) në Panama. Një hipotezë është se Jonghong Li është një person që “u huazon” emrin e tij personaliteteve që nuk duan të ekspozohen në vetë të parë.

4. Të kujt janë 200 milionët e derdhura në arkat e “Fininvest”-it? Kësti i parë u pagua nga Jonghong Li nëpërmjet bankës “Crédit Suisse”. Instituti që figuron në “Panama Papers” (ka lajmëruar se shumë shpejt do të mbyllë filialin e saj në Panama) shpeshherë është akuzuar si “vegël” e individëve të caktuar, të cilët kanë dashur t’u shpëtojnë taksave. Në SHBA, ky institucion ka paguar një gjobë prej 2,5 miliardë dollarësh, ndërsa në Itali kanë paguar 109,5 milionë euro, pasi kanë ndihmuar 13 mijë persona të dërgojnë në një tjetër shtet 14 miliardë euro. Me këstin e dytë është një mister i madh. 100 milionët kanë mbërritur në arkat e “Fininvest”-it, pasi kanë bërë xhiron e botës: Janë nisur nga Ishujt e Virgjër Britanikë (ku ka parajsa fiskale; atje figurojnë emrat e Berluskonit dhe Galianit) për të kaluar te “Huarong” (instituti i kontrolluar nga shteti kinez) në Hong Kong dhe prej andej janë nisur drejt Italisë.

5. Përse duhej trekëndëshi? Askush nuk di të thotë përse paratë kanë bërë xhiron e botës. “Huarong” nuk është pjesë e konsorciumit (“SES”), por ka marrë përsipër që të paguajë këstin për llogari të tij.

6. Përse kinezët (të cilët thonë se kanë shumë para nëpër botë) nuk kanë blerë direkt Milanin? Kjo është një tjetër pyetje pa përgjigje. Nëse “SES” siguron se ka fondet e duhura për të blerë Milanin ,atëherë përse i ka komplikuar kaq shumë jetën vetes dhe nuk ka hapur një institut nga Ishujt e Virgjër Britanikë dhe të blinte direkt Milanin…?

7. A është e vërtetë se frika e daljeve të kapitaleve nga ana e shtetit kinez po pengon mbylljen e këtij operacioni? Për të gjithë ekspertët e kontaktuar nga “Business Insider”, përgjigjja është negative. Pasi merren lejet e nevojshme, atëherë kapitalet dalin nga Kina brenda 50 ditësh. Sipas Institutit të Tregtisë së Jashtme, transfertat e parave mes Kinës dhe Italisë janë konstante. Mes 2006 dhe 2015, shifra e investuar nga Kina drejt vendeve të tjera ka qenë 1.097 miliardë dollarë (145 miliardë vetëm në 2015) dhe qeveria në fjalë ka lajmëruar se kjo shumë do të rritet me rreth një mijë miliard mes 2016 dhe 2020. Nëse Pekini do që të investojë 200 miliardë dollarë në vit, atëherë përse duhet të pengojë 520 milionët për Milanin? “Huarong” është me të vërtetë e kontrolluar nga shteti kinez.

8. Përse “SES” nuk zbulon emrat e investitorëve? Kompanitë, të cilat kanë aksione te “Sino Europe”, mbeten një mister. Me kalimin e muajve kanë hyrë dhe kanë dalë disa kolosë të ekonomisë kineze, të cilat, po të jenë vërtet të interesuara për Milanin, mund ta blinin brenda 24 orëve. I sigurt është fakti se disa biznese janë të interesuara që të investojnë për të blerë Milanin, edhe pse nuk kanë asnjë akord me konsorciumin që t’i detyrojë të paguajnë paratë e premtuara. Një tjetër përgjigje e kësaj pyetjeje është edhe versioni, sipas të cilit, investitorët fshihen pasi nëse dalin në skenë familja Berluskoni do të kërkonte më shumë para për shitjen e aksioneve.

9. Përse nuk respektohet protokolli i tregtisë aziatike? Në Kinë, etika është gjithçka. Përpara se flasin për biznes, ata kërkojnë që të njohin individin apo grupin me të cilin do të futen në tratativa. Ata i urrejnë ndërmjetësit. E gjithë kjo nuk ka ndodhur në tratativën mes “Fininvest” dhe “SES”. Kinezët nuk do kishin nevojë për “SES”-in.

10. Përse datat e mbylljes shtyhen vazhdimisht? Nëse “SES” ka paratë e nevojshme, atëherë përse nuk i paguan menjëherë?!

11. Përse Milani nuk bën dot merkato në janar? Akordi mes palëve parashikon se të gjithë shpenzimet e Milanit nga qershori i 2016-ës deri ditën e shitjes do të mbulohen nga “Fininvest” pasi do t’i rimbursohen nga “Sino Europe Sports”. Pyetja në fjalë është korrekte: përse “Fininvest” nuk investon në merkato? Mbase grupi nuk beson “SES”-it. Por, nëse në lojë do të ishin bankat, atëherë “Finivest” do të operonte në merkato, pasi për “SES” do të dilnin garant institutet e ndryshme financiare.

12. A është e mundur që lekët e paguara të jenë të “Fininvest”? Nuk është e mundur që kësaj pyetjeje t’i jepet një përgjigje. I sigurt është fakti se në Ishujt e Virgjër Britanikë ndodhet një kasafortë në emër të Berluskonit, por kjo nuk mjafton për të provuar gjë. Për familjen Berluskoni nuk do të ishte një mënyrë e zgjuar për të rikthyer në Itali nga Kina paratë e siguruara në parajsat fiskale.