​NISMA shpalosi para mediave skandalin e Kuvendit

119

NISMA për Kosovën konsideron që në seancën e 14 dhjetorit të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës janë bërë shkelje gjatë miratimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, ku nga 5 amendamentet e propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk është votuar amendamenti numër dy. Por, edhe përkundër kësaj NISMA tha se Kuvendi e ka miratuar ligjin me amendamentin e pavotuar në Kuvendin e Kosovës, i cili futet në nenin katër të Ligjit për plotësim-ndryshim të Ligjit 05/06.

Anëtari i Kryesisë së NISMA-s për Kosovën, Bajram Ajeti, ka paraqitur para mediave videot e bëra për miratimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i cili këto shkelje në seancën e 14 dhjetorit në Kuvendin e Kosovës i quajti skandal.

“Nga pesë amendamentet të cilat i kishte propozuar Komisioni për Buxhet dhe Financa, ne shohim se është bërë skandali me amendamentin numër dy, amendamentin të cilin e ka propozuar Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe i cili amendament nga Komisioni për Buxhet dhe Financa është propozuar që neni pesë i ligjit bazik të riformulohet në tekstin e tij gjegjësisht paragrafin 5….Mirëpo, çfarë ndodhi gjatë seancës kur erdhi çështja që të votohet, amendamentet një nga një atëherë amendamenti dy nuk kaloi, sepse fitoi vetëm 41 vota të deputetëve të cilët ishin prezentë. Për këtë janë siguruar edhe provat e para, është transkripti që në faqen e 88-të dhe 89-të shihet qartë se disa herë kur kërkohet nga kryetari i Kuvendit që të votojnë nuk u arrit që të votohet me shumicën e votave. Po ashtu, ndërlidhur si provë e fortë është edhe videoja të cilën ne e kemi marrë edhe minutat ku është çështja e votimit të këtij amendamenti”, tha Ajeti.

Për të gjitha këto shkelje Ajeti tha se përgjegjës është kryetari i Kuvendit të Kosovës, dhe administrata e cila këto ligje i dërgon në presidencë për miratim.

Por e gjithë kjo sipas Ajetit ka qenë e qëllimshme dhe se deri tek kjo ka ardhur për avancimin e klientëve, apo ithtarëve partiak brenda departamenteve, qoftë atij të buxhetit qendror apo lokal.

Ai ka treguar se ka informacione se përfitues nga kjo ka qenë drejtori i departamentit qendror, i cili sipas Ajetit është avancuar me postin e drejtorit të përgjithshëm.

Lidhur me këtë çështje, Ajeti tha se i është drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit në mënyrë që ta dërgojë këtë shkelje në Gjykatën Kushtetuese dhe që të mos hesht në këtë çështje. /KosovaPress/